Shkruan: Kim MEHMETI
Kishte dy arsye të logjikshme pse pas konfliktit të 2001 ishte e nevojshme të themelohet BDI-ja e Ali Ahmetit. E para, pse nuk piu ujë propozimi për themelimin e një Këshilli që do koordinonte aktivitetet e partive të atëhershme shqiptare deri në realizimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe e dyta, që të kishte kush t’i mbronte ish udhëheqësit dhe ushtarakët e UÇK-së nga manipulimet. Apo thënë më troç, që të kishte kush t’i mbronte ish ushtarët e UÇK-së nga burgosja e herë pas hershme, të cilat do mund t’i inicionin edhe partitë shqiptare në pushtet, sa herë që atyre do u binte popullariteti te populli, e që pastaj, t’i çlironin e të dëshmoheshin se janë “patriotë” të dorës së parë që mbrojnë luftëtarët e lirisë. Si arsye e logjikshme për themelimin e subjektit të ri shqiptar në Maqedoni, mund të merret edhe nevoja që vet “prindit” të kujdesej për fëmijën e vet – Marrëveshjen e Ohrit. Dhe këto arsye mjaftuan për shqiptarët e këtushëm që në zgjedhjet parlamentare të vitit 2002, si edhe në ato të parakohshmet të vitit 2008, në shumicë absolute të mbështesnin BDI-në dhe t’ia mundësonin Ali Ahmetit dhe shokëve të tij që të stoliseshin me kollaren e politikanit. Pra, populli solli vendim të drejtë: fatin e “Abazit” (nofka e luftës e Ali Ahmetit) e la në duart e politikanit Ali Ahmeti.
Dhe kush mund atëherë të paragjykonte se BDI-ja e Ali Ahmetit do përfundojë njësoj si gjitha partitë e mëparshme të këtushme shqiptare: si avokate e VMRO-DPMNE-së. Kush pra mundej asokohe ta paramendonte se Ali Ahmeti do e mbrojë Gruevskin nga ne që themi se nuk duam Maqedoni që ndërton të kaluarën e maqedonasve dhe shemb rrugët e ardhmërisë shqiptare. Dhe kush mund ta paramendonte asokohe se do vijë koha kur Ali Ahmeti do jep deklarata politike të vlerësuara si shumë “të pjekura” nga Gruevskin, e të përjetuara si shumë “aguridhe” nga populli të cilin e përfaqëson. Apo, kush mund ta besonte asokohe se një dekadë pas konfliktit të 2001, Gruevski do kanoset me hapjen e dosjeve të Hagës, se në vitin 2010, shqiptarët do vijnë në pozitën absurde që të mos kenë rrugë tjetër përpos që ta mbrojnë “Abazin” – e më atë edhe politikanin që nuk e meriton këtë mbrojtje, Ali Ahmetin – nga ata me të cilët BDI-ja e bashkëqeverisë shtetin. Pra kush mund ta paramendonte atëherë se tërë atë që iu besua dhe që i qëndronte mbrapa, BDI-ja nuk do dijë ta çmojë e ta përdorë drejtë, me çka do përfundojë si parti vasale e një “sakati” politikë siç është Gruevski.
Dhe sot, kur shumë shqiptarë të këtushëm pyesin se pse sërish aktualizohet hapja e dosjeve të Hagës, ka diçka të palogjikshme në pyetje e tyre. E palogjikshmja qëndron në atë se këtë pyetje ata duhej t’ia shtronin BDI-së shumë më parë, qysh atëherë kur kjo parti u pajtua me procesuimin e tyre përpara gjykatave të Maqedonisë, qysh kur u pajtuar që t’u merrej imuniteti dy deputetëve të saj dhe ata të dalin përpara gjyqit për rastin e ashtuquajtur “Maltretimi i punëtorëve të ndërmarrjes ndërtuese Mavrovë”. Pra, këtë pyetje shqiptarët duhej t’ia shtronin Ali Ahmetit që në çastin kur ai, për t’ia plotësuar të gjitha kërkesat Gruevskit, edhe atë vetëm për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës – e ma çka e ndihmoi atë ta rritë popullaritetin përpara zgjedhësve të vet – i “flijoi” dy deputetët duke i çuar të përgjigjen përpara gjykatës, me çka edhe e hapi rrugën që të shkohet tutje edhe me rastet tjera të Hagës. Me çka pra, me këmbët e veta, BDI-ja e shkeli ligjin për amnisti.
Andaj, sot kur shqiptarët e këtushëm me të drejtë hamenden si ta mbrojnë “Abazin” nga politikani Ali Ahmeti, pra si t’i mbrojnë vlerat e UÇK-së nga politika degraduese dhe absurde e BDI-së, duhet thënë të vërtetën që e dinë edhe fëmijët: askënd nuk mund ta mbrosh nga vetvetja. Pra nuk mund ta mbrosh “Abazin” nga Gruevski, sepse këtë të dytin e mbron Ali Ahmeti, edhe atë duke ia mbuluar të gjitha veprimet e dëmshme për Maqedoninë dhe për shqiptarët e këtushëm. Pra vetë BDI-ja është ajo që vazhdoi ta ndihmojë Gruevskin në realizim e qëllimeve që kishte: t’i ndëshkojë shqiptarët për 2001 dhe dalëngadalë t’i defaktorizojë të gjitha partitë e këtushme shqiptare. Duke pasur projekt parësorë dobësimin e faktorit politik shqiptarë në Maqedoni, Gruevski bërë atë që ia lejuan të gjithë liderët e këtushëm shqiptarë që vrapuan drejtë selisë së VMRO-DPMNE-së, që t’ia puthnin dorën kryetarit të saj me lutjen t’i përfshinte në koalicionin qeverisës. Dhe duke qenë i bindur se kryesuesit e partive shqiptare, politikën e zbërthejnë nëpërmjet të prapanicës të ulur në kolltukët e butë qeveritar, Gruevski ia bëri Ali Ahmetit të njëjtën që ia kurdisi PDSH-së: në fillim e degradoi përpara votuesve të vet, e që pastaj ta mbajë në prehër, e ta manipulojë siç ia do qejfi.
Shikuar nga këndi se në Maqedoni vazhdon procesi gjyqësorë për rastin e quajtur “Punëtorët e Mavrovës”, atëherë sipas cilës logjikë BDI-ja, dhe të gjithë shqiptarët e Maqedonisë, kërkojnë të mos ketë proces gjyqësorë për tre rastet tjera që i ktheu gjykata e Hagës!? Apo, nëse në Maqedoni vuajnë burg të pafajshmit e dënuar për rastin e Sopotit dhe të burgosurit për rastin e Brodecit, atëherë si mund të kërkosh që drejtësia të vlejë vetëm për kryesuesit e BDI-së!? Thënë më ndryshe: vallë në BDI edhe drejtësinë e kanë kuptuar si “tregti politike” dhe andaj mendojnë se shqiptarët e këtushëm do i mbrojnë nga Gruevski duke e nxjerrë popullin në protesta kundër qeverisë, qeveri në të cilën bëjnë pjesë edhe partiakët e Ali Ahmetit, e që nxit pyetjen e logjikshme se, ç’ka u duhen shqiptarëve përfaqësues qeveritarë që nuk mund ta mbrojnë as vetveten nga Gruevski? Vallë askush nuk u tregoi me kohë kryesuesve të BDI-së se kur pranon të fillojë procesi gjyqësorë lidhur me një nga aktakuzat e kthyera nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, se kur nuk mundë t’u kundërpërgjigjesh proceseve të montuara politike kundër shqiptarëve, si ai i rastit të Sopotit, se kur lejon të të ndodh Brodeci, ti në të vërtet i ke lënë shqiptarët në duart e VMRO-DPMNE-së. Se i ke lënë shqiptarët në duart e partisë që ëndërronte, dhe mbase ende ëndërron, dhoma gazi për shqiptarët, se i ke lënë të pambrojtur ata që të kanë besuar, se në mos më shumë, nuk do i kthesh aty ku ishin përpara 2001.
Ku ta dish, mbase dikush edhe ia ka thënë këtë me kohë Ali Ahmetit, por duke përzier logjikën e misionarit me atë të politikanit, ai ka harruar se politika është lojë ligjesh dhe rregullash të një natyre krejt tjetër nga ato të misionarizmit që mbështeten mbi instinktet njerëzorë dhe përkushtimin. Njësoj siç nuk e besuan dhe nuk e kuptuan me kohë disa nga ne atë që dikush e pohonte: se kryesuesit e BDI-së nuk kanë kapacitet dhe dije politike ta lexojnë e ta përdorin drejtë përkrahjen e popullit dhe mbështetjen e atyre që nuk kishim ambicie politike por ishin të gatshëm të kontribuojnë për të mirën e përbashkët.
Si do që të jetë, edhe si do që të përfundojë farsa tragjikomike me katër rastet që i ktheu Gjykata e Hagës si të pabaza për të ngritur akuzë kundër të pandehurve – e të cilat gjykata maqedonase i konsideron si të hapura – ka një të vërtetë që duhet pranuar hapur: populli shqiptar i Maqedonisë i doli hakut “Abazit” dhe shokëve të tij. E pse ata nuk mund t’i mbrojë politikani Ali Ahmeti, kjo ka të bëjë me vetë ata, e jo me popullin. Dhe mbase BDI-në e Ali Ahmetit nuk mund ta shpëtojë më askush: ajo është duke notuar lumit ku u mbytën thuajse të gjitha partitë e deritanishme shqiptare të Maqedonisë. E lumi VMRO-DPMNE-së i përmbyti partitë shqiptare sepse ato nuk notonin mbi barkën që i mbante mbi sipërfaqe – besimin e popullit të këtushëm shqiptarë që i votoi – por u ulën në anijen e Gruevskit. E ai nuk kishte pse mos ta bëjë atë që ia mundësuan liderët shqiptarë: të pretë të largohet sa më larg nga ta “barka” që i solli në pushtet – t’i deligjitimojë përpara popullit që i votoi – dhe pastaj, në çastin e duhur, t’i hedh nga anija e vet. E nëse politikanët shqiptarë janë notues të tillë politikë, atëherë le të mbyten ata, e jo populli. Pra, nëse BDI-ja nuk diti dhe nuk mundi ta mbrojë “Abazin” duke pasur pas vete shumicën e shqiptarëve të Maqedonisë, atëherë s’ka çka u vlen si e tillë as shqiptarëve të këtushëm, të cilët nuk duhet të lejojnë gjykimin e trimërisë së rinisë së këtushme, por duke treguar qartë se ata mbrojnë “Abazin”, e jo politikanin Ali Ahmeti.